• Final-ConferenceZV2015
  • Rezultate-infografike-01

Njoftim për shtyp - REAGO! VOTO! NDIKO!

[Tiranë, 2 Maj, 2015]. Koalicioni për Zgjedhje të Lira e të Ndershme e për Demokraci të
Qendrueshme (KZLNDQ) është gati të monitorojë, transparencën, paqen dhe drejtësinë gjatë zgjedhjeve për Organet e Qeverisjes Vendore të datës 21 Qershor 2015.

Qytetarë shqiptarë! Në datën 21 Qershor, 2015 ju duhet të shkoni në qendrat e votimit dhe të zgjidhni kryetarët e bashkive dhe anëtarët e këshillave bashkiakë. Ky grup do të përfaqësojë interesat tuaja për katër vitet e ardhshme në bashkinë ku ju keni zgjedhur të jetoni. Këto zgjedhje janë shumë të rëndësishme. Mos harroni që për herë të parë do të ketë një numër të madh grash në përbërjen e këshillave bashkiakë. Ndiqni kandidatët e kandidatet në fushatat e tyre dhe kërkoni zgjidhje të problemeve tuaja.

###

Politikanë! Përfshini gra dhe vajza si kandidate për kryetare bashkie apo këshilla bashkiakë, sipas përcaktimeve në Kodin Zgjedhor! Me këtë thirrje, KZLN i drejtohet partive politike që konkurrojnë më vete dhe partive politike pjesëtare të dy koalicioneve të regjistruara në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve, kur kanë mbetur vetëm 3 ditë nga afati përfundimtar për dorëzimin e dokumentacionit ligjor për regjistrimin e kandidatëve.

 

KZLNDQ shpreh shqetësimin për vonesën në hartimin e listave dhe mungesën e transparencës nga partitë dhe koalicionet për publikun shqiptar. Të nderuar politikanë, mbështesni gratë në vendimarrje dhe propozoni kandidatë të denjë për të drejtuar bashkitë. Shqipëria e së ardhmes nuk mund të drejtohet nga individë me të kaluar kriminale. Kjo është e vetmja rrugë për një Shqipëri të denjë për tu integruar në Bashkimin Europian.

###

Anëtarë të KQZ-së! Mos pranoni listat e kandidatëve nëse nuk përbushin kriterin gjinor të shprehur qartë në Kodin Electoral! KZLNDQ përshëndet Komisionin Qendror të Zgjedhjeve i cili po punon me përkushtim dhe orare të zgjatura për të përmbushur detyrimet sipas ligjit që të mos pengojë procesin e zgjedhjeve për Organet e Qeverisjes Vendore të datës 21
Qershor 2015 edhe pse pati vonesa nga ana e partive politike për miratimin e Kodit Elektoral me ndryshimet përkatëse. KZLNDQ i kërkon KQZ-së të vazhdojë me të njëjtin ritëm, pasi kjo do të ndihmojë mirë administrimin e këtij procesi.

KZLNDQ kërkon nga Komisioni Qendrori Zgjedhjeve të realizojë të gjitha premtimet në lidhje me përmbushjen e detyrimeve, në mënyrë që personat me aftësi të kufizuar të kenë mundësi të marrin pjesë në votime me dinjitet dhe të plotësojnë fletën e votimit vetë në dhomën e fshehtë. KZLNDQ përshëndet vendimin e datës 30 Prill, 2015, të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve që për herë të parë, për zgjedhjet e organeve të qeverisjes vendore të datës 21 qershor 2015, do të angazhojë pranë Zyrave Rajonale Zgjedhore, 12 persona me aftësi të kufizuara, në 12 qarqet e vendit.

###

Koaliconi për Zgjedhje të Lira e të Ndershme e Demokraci të Qendrueshme(KZLNDQ) është një koalicion i pavarur, jopartiak, i krijuar me qëllim nxitjen e pjesmarrjes së qytetarëve në votime dhe vëzhgimin e proceseve zgjedhore. KZLNDQ i kushton vëmendje të veçantë të drejtave të njeriut para ligjit, çështjeve që ndikojnë tek votuesit me aftësi të kufizuara si dhe çështjet e barazisë gjinore.

Projekti i KZLNDQ-së për vëzhgimin e zgjedhjeve për Organet e Qeverisjes Vendore të datës
21 Qershor 2015 mbështetet nga Assitst Impact nëpërmjet fondeve të USAID-it. KZLNDQ po asistohet teknikisht nga Instituti Demokratik Amerikan, NDI. KZLNDQ përbëhet nga 25 organizata parnere dhe nga qindra vullnetarë në të gjithë Shqipërinë.

Gjetjet e Koalicionit për Zgjedhje të Lira e të Ndershme mund ti gjeni në portalin online www.kzln.org.al

Për më shumë informacion, lutemi të kontaktoni:
Mirela Arqimandriti, Drejtuese e skuadrës së vëzhgimit të zgjedhjeve
Email: Kjo adresë emaili po mbrohet nga spambotet. Të duhet aktivizimi i JavaScript për me e pa. Cel: 00355 68 20 59 301 www.kzln.org.al
Facebook: Koalicioni për Zgjedhje të Lira e të Ndershme
Twitter: KZLN_CFFE_Albania