• Final-ConferenceZV2015
  • Rezultate-infografike-01

Njoftim për shtyp - Fushata Elektorale të Organizohet pa dhunë, pengesa dhe kanosje

THIRRJE PARTIVE POLITIKE QE GAROJNE NE ZGJEDHJET PER QEVERISJEN VENDORE,
21 QESHOR 2015
Fushata Elektorale të Organizohet pa dhunë, pengesa dhe kanosje

[Tiranë, 11.05.2015]. Koalicioni për Zgjedhje të Lira e të Ndershme e për Demokraci të Qendrueshme (KZLNDQ) i bën thirrje partive politike shqiptare të cilat do të përfaqësohen në zgjedhjet për Organet e Qeverisjes Vendore të datës 21 Qershor 2015, në Koalicione, më vete apo si kandidatë të pavarur, që të organizojnë fushata elektorale me përgjegjshmëri të lartë dhe dinjitet, bazuar në legjislacionin zgjedhor në fuqi dhe parimet demokratike për zgjedhje të lira e të ndershme.

Duke parë zhvillimet e kohëve të fundit dhe sidomos sulmet mbi aktivistët e Partisë Demokratike në Shkozet, të qarkut Durrës dhe Ersekë të qarkut Korçë, KZLNDQ dënon të gjitha rastet e dhunës ndaj kundërshtarëve politikë dhe i bën thirrje të gjithë garuesve zgjedhorë të dënojnë publikisht dhe të distancohen nga akte të tilla.
KZLNDQ i kërkon drejtuesve të partive politike të ftojnë publikisht mbështetësit e tyre që të jenë të përmbajtur ndaj akteve të kërcënimit ose dhunës ndaj kundërshtarëve të tyre apo grupeve mbështetëse, të afërmve, pasurisë personale dhe pronës publike.
Në respekt të zbatimit të standardeve ndërkombëtare dhe Kodit Zgjedhor të Republikës së Shqipërisë, KZLNDQ nxit partitë politike shqiptare që:
• Të sillen në një mënyrë që të respektojnë të drejtat e palëve të tjera dhe kandidatëve të pavarur si dhe të drejtat e të gjithë votuesve dhe anëtarëve të tjerë të komunitetit.
• Të organizojnë tubimet elektorale me qytetarë të cilët kanë zgjedhur lirisht dhe të padetyruar apo të pakërcënuar të marrin pjesë dhe të dëgjojnë programet dhe ligjërimet e kandidatëve.
• Të respektojnë të drejtat dhe lirinë e partive, koalicioneve të tjera apo kandidatëve të Pavarur, të bëjnë fushatë dhe të shpërndajnë idetë dhe parimet e tyre politike.
• Të mos shkatërrojnë apo pengojë fushatën dhe organizimet e kundërshtarit politik.
• Të mos përfshihen në akte vandalizmi, duke sulmuar apo goditur kundërshtarin politik.
• Të mos grisin posterat, fletëpalosjet e kundërshtarit poltik apo të ndalojnë grupet që i shpërndajnë ato.
• Të ftojë ligjëruesit në tubimet politike të shmangin gjuhën e denigrimit dhe të shpifjes për kundërshtarët politikë, apo të kërcënojnë dhe të nxisin dhunën në çfarëdo forme ndaj një personi apo grupi personash.
• Të respektojnë lirinë e shtypit dhe të lejojë përfaqësuesit e mediave të kryejnë punën e tyrë të pakërcënuar.
• Të mos lejojnë mbështetësit e të tyre të mbajnë apo përdorin armë të çfarëdo lloji, përfshirë edhe ato tradicionale, në tubimet elektorale.
KZLNDQ nëpërmjet qindra vëzhguesve të saj të pavarur dhe të trajnuar gjerësisht për këto çështje, do të vëzhgojë fushatën para-elektorale të partive politike që konkurojnë në zgjedhjet për organet e qeverisjes vendore të 21 Qershorit 2015, do të evidentojë parregullsitë dhe praktikat jo-demokratike, si dhe do të informojë në kohë reale publikun dhe aktorët e tjerë në lidhje me gjetjet.

###

Koaliconi për Zgjedhje të Lira e të Ndershme e Demokraci të Qendrueshme(KZLNDQ) është një koalicion i pavarur, jopartiak, i krijuar me qëllim nxitjen e pjesmarrjes së qytetarëve në votime dhe vëzhgimin e proceseve zgjedhore. KZLNDQ i kushton vëmendje të veçantë të drejtave të njeriut para ligjit, çështjeve që ndikojnë tek votuesit me aftësi të kufizuara si dhe çështjet e barazisë gjinore. Projekti i KZLNDQ-së për vëzhgimin e zgjedhjeve për Organet e Qeverisjes Vendore të datës 21 Qershor 2015 mbështetet nga Assist Impact nëpërmjet fondeve të USAID-it. KZLNDQ po asistohet teknikisht nga Instituti Demokratik Amerikan, NDI. KZLNDQ përbëhet nga 25 organizata parnere dhe nga qindra vullnetarë në të gjithë Shqipërinë.
Gjetjet e Koalicionit për Zgjedhje të Lira e të Ndershme mund ti gjeni në portalin online www.kzln.org.al

Për më shumë informacion, lutemi të kontaktoni:
Mirela Arqimandriti, Drejtuese e skuadrës së vëzhgimit të zgjedhjeve
Email: Kjo adresë emaili po mbrohet nga spambotet. Të duhet aktivizimi i JavaScript për me e pa. Cel: 00355 68 20 59 301 www.kzln.org.al
Facebook: Koalicioni për Zgjedhje të Lira e të Ndershme
Twitter: KZLN_CFFE_Albania