“Reforma Zgjedhore në Shërbim të Zgjedhjeve të Lira e të Ndershme”

Tiranë, 24.05.2016. Koalicioni për Zgjedhje të Lira e të Ndershme e për Demokraci të Qendrueshme (KZLN) po vijon të monitorojë në mënyrë aktive zhvillimet më të fundit mbi reformën zgjedhore në Shqipëri.
Deri më tani, mbledhjet e Komisionit të Posaçëm Parlamentar për Reformën Zgjedhore (Komisioni) janë zhvilluar pa praninë e aktorëve lokalë të shoqërisë civile. Për më tepër, në afrim të afatit paraprak tre-mujor për përfundimin e punës së Komisionit, nuk është diskutuar ende mbi modalitetet e konsultimeve publike apo mbledhjeve të hapura të parashikuara në Vendimin për ngritjen e Komisionit të Posaçëm Parlamentar për Reformën Zgjedhore.

Komisioni nuk ka një faqe të posaçme ku të pasqyrohet puna e tij për të gjithë aktorët e interesuar që po ndjekin procesin e reformës zgjedhore. Në faqen e Kuvendit të Shqipërisë, komunikimi i vetëm informativ i disponueshëm ka lidhje me përbërjen e Komisionit. Në këtë faqe mungojnë sidomos informacionet për planin e punës, veprimtarinë, procesverbalet e mbledhjeve dhe studimet e propozimet e aktorëve dhe subjekteve të interesuara.
KZLN i bën thirrje Komisionit të miratojë me urgjencë rregulla të posaçme për të bërë të mundur pjesëmarrjen aktive të aktorëve të tjerë në proces, përfshirë KQZ-në, mbështetur në metodologji pune të qartë, transparente, joburokratike dhe me mekanizma llogaridhënës. Reforma zgjedhore nuk mund të trajtohet më si interes ngushtësisht partiak. Reforma zgjedhore përbën interes të mirëfilltë publik. Prej saj varet fati dhe shkalla e demokracisë në Shqipëri. Për këtë arsye, kërkesa e organizatave të shoqërisë civile për pjesëmarrje dhe përfshirje është jo vetëm legjitime, por përbën detyrim që pret respektim nga Komisioni. KZLN mirëpret orientimin e punës së Komisionit të Posaçëm Parlamentar për Reformën Zgjedhore përmes rekomandimeve të raporteve të OSCE/ODIHR, por gjykon se Komisioni duhet të marrë në konsideratë edhe rekomandimet e organizatave lokale të shoqërisë civile, të cilat kanë monitoruar proceset zgjedhore në Shqipëri në mënyrë aktive.
KZLN ka mbajtur shënim nga njoftimet e mediave, se përfaqësuesit e opozitës në Komision kanë prezantuar platformën e tyre për reformën zgjedhore. Ky dokument ende nuk është bërë publik nga Komisioni. KZLN vëren gjithashtu se përfaqësuesit e mazhorancës ende nuk kanë reaguar ndaj kësaj platforme, sikurse nuk kanë paraqitur një dokument të ngjashëm nga ana e tyre. KZLN vëren se Komisioni në mbledhjen e fundit ka diskutuar gjerësisht mbi përdorimin e teknologjisë në zgjedhjet e ardhshme e cila po konsiderohet të aplikohet përgjatë gjithë procesit të votimit dhe numërimit të votave. Përdorimi i teknologjisë po konsiderohet si zgjidhja e problemeve për procedurat e menaxhimit të zgjedhjeve, si reduktim i konfliktualitetit midis palëve si dhe eleminim i praktikave të këqija në zgjedhje.
KZLN përshëndet përpjekjen për modernizimin e procesit përmes përdorimit të teknologjisë. Megjithatë, KZLN bën publik dyshimin serioz, se mbivlerësimi i përdorimit të teknologjisë në votim dhe në numërimin e votave rrezikon të lërë pa zgjidhje problemet akute që u shkaktohen zgjedhjeve nga politizimi i skajshëm i administrimit të tyre dhe nga tolerimi i praktikave të këqia, manipulative dhe të kundraligjshme që janë vënë re në të shkuarën. Teknologjia kur është e suksesshme përbën revolucion, por megjithatë nuk mund të quhet reformë elektorale dhe nuk mund të konsiderohet si zgjidhja e të gjitha problemeve zgjedhore në Shqipëri, sidomos nëse pretendohet që teknologjia të vihet në përdorim dhe/ose të kontrollohet nga strukturat e politizuara të komisioneve zgjedhore.
Në prezantimin dhe debatin për teknologjinë, palët politike janë vendosur në pozicione të qarta partiake. KZLN, duke kërkuar që diskutimi për përdorimin e teknologjive të bëhet nisur nga interesi publik, i parashtron disa pyetje për sqarim publik Komisionit:
1. Cili është ndikimi që pritet të shkaktojë mbi sjelljen elektorale të votuesve kjo teknologji?
2. Si do të binden votuesit për garancinë e fshehtësisë së votës nga përdorimi i teknologjisë?
3. Në ç’masë garantohet vota e pavarur nësë votuesi nuk di të përdorë teknologjinë dhe do të kërkojë asistencë për të shënuar votën e tij/saj? Si do të shmanget votimi familjar?
4. Sa mundësi ka që forcat politike që do të humbin të mos përdorin justifikimin se teknologjia ishte e manipuluar?
5. A është bërë një analizë se cilat janë avantazhet dhe disavantazhet e përdormit të teknologjisë në vende të tjera që kanë investuar paratë publike për këtë inovacion në procesin elektoral?
Për më tepër KZLN kërkon nga Komisioni që të diskutojë në seanca publike teknologjinë e re dhe të informojë publikun për masa ligjore, organizative dhe administrative që duhet të adoptohen nëse dështon futja e teknologjisë në zgjedhjet e radhës.
Opinioni publik dhe shoqëria civile kërkojnë nga Komisioni garanci se zgjedhjet e ardhshme do të jenë të lira e të ndershme, pavarësisht nëse arrin të përdoret ose jo teknologjia në votim.

Koalicioni për Zgjedhje të Lira e të Ndershme e për Demokraci të Qendrueshme (KZLN) është një organizatë e pavarur, jopartiake e krijuar me qëllim nxitjen e pjesëmarrjes së qytetarëve në votime dhe sigurimin e demokracisë së qendrueshme. Për më shumë informacion, ju lutem vizitoni faqen www.kzln.org.al dhe/ose kontaktoni me e-mail: Kjo adresë emaili po mbrohet nga spambotet. Të duhet aktivizimi i JavaScript për me e pa.Kjo adresë emaili po mbrohet nga spambotet. Të duhet aktivizimi i JavaScript për me e pa.">

Shkarko deklaratën