Njoftim për shtyp - KZLNDQ i bën thirrje partive politike të organizojnë zgjedhje lokale të 21 Qershorit 2014 me dinjitet

Tiranë, më 19 Janar 2015 - Koalicioni për Zgjedhje të Lira dhe të Ndershme dhe Demokraci të qëndrueshme (KZLN-DQ) i bën thirrje të gjitha partive politike të grupuara në mazhorancë dhe opozitë të fillojnë punën konkete për ndryshimet ligjore në kodin zgjedhor e të kujdesen që zgjedhjet lokale të kryhen sipas standarteve ndërkombëtare të bazuara në Deklaratën Universale të të Drejtave të Njeriut, Konventën Ndërkombëtare të të drejtave civile dhe politike, Dokumentin e Kopenhagenit, Konventën e Kombeve të Bashkuara mbi Eliminimin e të Gjitha Formave të Diskriminimit kundër Grave, Konventën mbi të Drejtat e Personave me Aftësi të Kufizuara.

Të gjitha forcat politike duhet të lexojnë me kujdes raportet e rekomandimet e dhëna nga organizatat ndërkombëtare dhe ato lokale në zgjedhjet të mëparshme dhe të kujdesen për mjedis të qetë e bashkëpunues në fushatën parazgjedhore, në ditën e zgjedhjeve dhe pas saj.

KZLNDQ përshëndet premtimin e Kryeministrit të Shqipërisë z.Rama në lidhje me angazhimin e Partisë Socialiste që në këshillat bashkiakë do të ketë përfaqësim të të dy gjinive në masën 50 %.
KZLNDQ përshëndet gjithashtu premtimin e znj. Vokshi, deputete e Kuvendit të Shqipërisë dhe Kryetarja e Lidhjes Demokratike të Gruas, e cila edhe në emër të kryetarit të Partisë Demokratike z.Basha, premtoi që në zgjedhjet e ardhshme Partia Demokratike do të kandidojë 50 % gra në këshillat bashkiakë dhe rreth 20 % gra si kryetare bashkie.
KZLNDQ përshëndet Komisionin Qendror të Zgjedhjeve për rekomandimet e dërguara në Parlamentin Shqiptar për përmirësime të nevojshme të Kodit Zgjedhor ku midis të tjerave kërkohet respektimi i zgjedhësve me aftësi të kufizuara, përmes përshtatjes së qendrave dhe mjeteve të votimit për këtë kategori si dhe rekomandohen masa të posaçme për rritjen e pjesëmarrjes së grave në organet e zgjedhura.

Sidoqoftë, KZLNDQ si një kaolicion vullnetar jo qeveritar me përfaqësues në të gjithë Shqipërinë të interesuar për zgjedhje të lira e ndershme, për përfshirjen e grave në vendimmarrje dhe për respektimin e të drejtave të personave me aftësi të kufizuar, si dhe duke parë situatën politike në vend kërkon që:

1. Të hapet diskutimi për të rishikuar Kodin Elektoral i cili duhet të përshtatet sipas Reformës së re Territoriale me 61 bashki.
2. Të rishihet dhe riformulohet sipas kërkesave të shoqërisë civile çështja e përfaqësimit të barabartë gjinor në Kodin Elektoral si për zgjedhjet parlamentare edhe për ato lokale, duke parashikuar sanksione të forta për partitë politike që nuk e zbatojnë atë.
3. Partitë politike të tregojnë vullnetin e duhur për plotësimin e menjëhershëm të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve me anëtarë të rinj.
4. Të zbatohen të gjitha procedurat e të merren masat e duhura që personat me aftësi të kufizuar të kenë të mundur votimin e fshehtë përmes përshatshmërisë së qendrave të votimit në të gjithë Shqipërinë.

KZLNDQ përbëhet nga 25 organizata partnere dhe qindra vullnetarë në të gjithë vendin të cilët janë të gatshëm të kontribojnë që zgjedhjet lokale të 2015 të arrinë standartet e kërkuara. KZLNDQ është duke monitoruar çdo ditë situatën politike në lidhje me zgjedhjet e ardhshme të 21 qershorit 2015.

Për më shumë informacion kontaktoni:
Website: www.kzln.org.al Facebook: Koalicioni per Zgjedhje te Lira e të Ndershme Twitter: KZLN_CFFE
Tel: 00355684046777