• Final-ConferenceZV2015
  • Rezultate-infografike-01

DEKLARATË - “Reforma Zgjedhore në Shërbim të Zgjedhjeve të Lira e të Ndershme”

Tiranë, 24.05.2016. Koalicioni për Zgjedhje të Lira e të Ndershme e për Demokraci të Qendrueshme (KZLN) po vijon të monitorojë në mënyrë aktive zhvillimet më të fundit mbi reformën zgjedhore në Shqipëri.
Deri më tani, mbledhjet e Komisionit të Posaçëm Parlamentar për Reformën Zgjedhore (Komisioni) janë zhvilluar pa praninë e aktorëve lokalë të shoqërisë civile. Për më tepër, në afrim të afatit paraprak tre-mujor për përfundimin e punës së Komisionit, nuk është diskutuar ende mbi modalitetet e konsultimeve publike apo mbledhjeve të hapura të parashikuara në Vendimin për ngritjen e Komisionit të Posaçëm Parlamentar për Reformën Zgjedhore.

Raport monitorimi-Dita e Zgjedhjeve në Institucionet Publike të Arsimit të Lartë në Shqipëri

Përmbledhje Ekzekutive
Më 20 Prill 2016 u mbajtën zgjedhjet e para gjithëpërfshirëse për autoritetet dhe organet drejtuese në Institucionet Publike të Arsimit të Lartë (IPAL)pas miratimit të Ligjit nr. 80/2015 "Për arsimin e lartë dhe kërkimin shkencor në institucionet e arsimit të lartë në Republikën e Shqipërisë". Përgjithësisht zgjedhjet u mbajtën në përputhje mekornizën përkatëse ligjore dhe standardet ndërkombëtare, duke respektuar lirinë dhe fshehtësinë e votës. Procesi pati një numër shkeljesh, më së shumti në aspektin teknik dhe procedurial, të shkaktuara kryesisht nga padija e komisionerëve dhe mangësi në legjislacion, por që nuk ndikuan në rezultatin e zgjedhjeve dhe/apo mbarëvajtjen e procesit në përgjithësi.

Për herë të parë në historinë e zgjedhjeve në IPAL të Republikës së Shqipërisë, procesi u vëzhgua nga shoqëria civile nëpërmjet pranisë së vëzhguesve të Koalicionit për Zgjedhje të Lira dhe të Ndershme dhe Demokraci të Qendrueshme (KZLN) dhe një grupi të rinjsh vullnetarë të Këshillit Rinor të Ambasadës së Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Tiranë. Duke qenë se këto ishin zgjedhjet e para gjithëpërfshirëse, KZLN e konsideroi të nevojshëm garantimin e standardeve demokratike.

Njoftim per shtyp - KZLN vëzhgon zgjedhjet në institucionet publike të arsimit të lartë

Tiranë, 18 Prill 2016 - Koalicioni për Zgjedhje të Lira e të Ndershme e Demokraci të Qendrueshme (KZLN) do të vëzhgojë vullnetarisht zgjedhjet për Rektor, anëtarë të Senatit Akademik dhe drejtues të tjerë të institucioneve publike të arsimit të lartë, që do të zhvillohen në datë 20 Prill 2016.
Duke qenë se këto janë zgjedhjet e para gjithëpërfshirëse pas miratimit të Ligjit nr. 80/2015 ''Për arsimin e lartë dhe kërkimin shkencor në institucionet e arsimit të lartë në Republikën e Shqipërisë'', KZLN e konsideron të nevojshëm garantimin e standardeve demokratike në këto zgjedhje. KZLN beson se angazhimi i shoqërisë civile si një aktor i jashtëm i paanshëm në vëzhgimin e procesit të votimit dhe numërimit të votave është një vlerë e shtuar për mbarëvajtjen e zgjedhjeve dhe sigurimin e barazisë së votës.