Raport monitorimi-Dita e Zgjedhjeve në Institucionet Publike të Arsimit të Lartë në Shqipëri

Përmbledhje Ekzekutive
Më 20 Prill 2016 u mbajtën zgjedhjet e para gjithëpërfshirëse për autoritetet dhe organet drejtuese në Institucionet Publike të Arsimit të Lartë (IPAL)pas miratimit të Ligjit nr. 80/2015 "Për arsimin e lartë dhe kërkimin shkencor në institucionet e arsimit të lartë në Republikën e Shqipërisë". Përgjithësisht zgjedhjet u mbajtën në përputhje mekornizën përkatëse ligjore dhe standardet ndërkombëtare, duke respektuar lirinë dhe fshehtësinë e votës. Procesi pati një numër shkeljesh, më së shumti në aspektin teknik dhe procedurial, të shkaktuara kryesisht nga padija e komisionerëve dhe mangësi në legjislacion, por që nuk ndikuan në rezultatin e zgjedhjeve dhe/apo mbarëvajtjen e procesit në përgjithësi.

Për herë të parë në historinë e zgjedhjeve në IPAL të Republikës së Shqipërisë, procesi u vëzhgua nga shoqëria civile nëpërmjet pranisë së vëzhguesve të Koalicionit për Zgjedhje të Lira dhe të Ndershme dhe Demokraci të Qendrueshme (KZLN) dhe një grupi të rinjsh vullnetarë të Këshillit Rinor të Ambasadës së Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Tiranë. Duke qenë se këto ishin zgjedhjet e para gjithëpërfshirëse, KZLN e konsideroi të nevojshëm garantimin e standardeve demokratike.

KZLN planifikoi të vëzhgojë zgjedhjet në IPAL në të gjitha universitetet e për këtë dërgoi në KIZ-et përkatëse kërkesë për vëzhgim. Por pas refuzimit të kërkesës së disa KIZ-ve dhe mungesës së përgjigjes nga disa të tjerë, KZLN vëzhgoi ditën e zgjedhjeve në tre universitete publike në Tiranë të cilat ju përgjigjën pozitivisht kërkesës së KZLN për të dërguar vëzhgues: Universiteti i Tiranës, Universiteti Politeknik i Tiranës dhe Universiteti i Arteve. Dita e zgjedhjeve u vëzhgua me tridhjetë e dy (32) vëzhgues të pavarur e të trajnuar paraprakisht, të cilët vëzhguan tridhjetë e dy (32) Qendra Votimi (QV) gjatë ditës së votimit, pa ndërprerje, që nga përgatitja dhe çelja e qendrave të votimit, duke vazhduar me procesin e votimit, e deri në mbylljen e votimit dhe numërimin e votave në pesëmbëdhjetë (15) fakultete dhe institucione kërkimore. Fakultetet e vëzhguara janë si më poshtë:

  • Universiteti i Tiranës (UT): Fakulteti i Shkencave të Natyrës, Fakulteti i Shkencave Sociale, Fakulteti Ekonomik, Fakulteti i Gjuhëve të Huaja, Fakulteti Histori-Filologji, Fakulteti Ekonomik dhe Fakulteti i Drejtësisë.
  • Universiteti Politeknik i Tiranës (UPT): Fakulteti i Inxhinierisë së Ndërtimit, Fakulteti i Arkitekturës dhe Urbanistikës, Fakulteti i Teknologjisë së Informacionit, Fakulteti i Inxhinierisë Mekanike, Fakulteti i Gjeologjisë dhe i Minierave, Fakulteti i Inxhinierisë Elektrike, Fakulteti i Inxhinierisë Matematike dhe Inxhinierisë Fizike, Instituti i Gjeoshkencave dhe Energjisë, Ujit dhe Mjedisit.
  • Universiteti i Arteve (UA):Fakulteti i Muzikës, Fakulteti i Arteve të Bukura, Fakulteti i Artit Skenik.

Stafi akademik dhe studentët ishin votuesit në këto zgjedhje dhe pesha e votës së tyre ishte e ndryshme, me votën e studentëve që do të vlente vetëm 10% të totalit. Stafi akademik votoi për: Rektor, drejtues të njësisë kryesore (Dekan), drejtues të njësisë bazë (Shef Departamenti) dhe anëtarë të personelit akademik në Senatin Akademik. Studentët votuan për: Rektor, drejtues të njësisë kryesore (Dekan) dhe anëtarë studentë në Senatin Akademik.

Zgjedhjet në IPAL u zhvilluan në bazë tëRregullores "Për organizimin e zgjedhjeve të para për autoritetet dhe organet drejtuese në Institucionet Publike të Arsimit të Lartë në Republikën e Shqipërisë", të Ministrisë së Arsimit dhe Sportit, e cila përcaktoi edhe kuadrin e përgjithshëm rregullator. Si pasojë e miratimit të vonë të kësaj Rregulloreje,si dhe disa paqartësive në të që lidheshin me aspektin administrativ të zgjedhjeve,Komisionet Institucionale të Zgjedhjeve (KIZ-et) patën një qasje pro-aktive ndaj specifikimit të rregullave të paqarta si dhe ndaj draftimit të urdhërave shtesë për të rregulluar aspekte të veçanta tëadministrimit zgjedhor. KIZ-i i Universitetit të Tiranës ishte veçanërisht aktiv në këtë aspekt.Pavarësisht kësaj,ndër ndryshimet më të nevojshme në Rregullore që propozonKZLN janë: (1) parashikimi i mundësisë për vëzhgues të pavarur në zgjedhje; (2) ndarje e qendrave të votimit sipas kategorive të votuesve (staf akademik dhe studentë në kushtet e peshës së ndryshme të votës dhe mirëadministrimit të zgjedhjeve);si dhe (3) përditësimi i kategorive të organeve për të cilat votohet nga stafi akademik dhe studentët ditën e zgjedhjeve duke hequr votimin për anëtarë të Komisionit të Përhershëm i cili zgjidhet nga Senati Akademik.

Pavarësisht mangësive, është për t'u përgëzuar fakti që Rregullorja parashikonte numërimin e votave brenda Komisioneve Zgjedhore të Fakultetit (KZF) dhe jo transportimin e kutive të votimit për numërim pranë KIZ-eve. Transportimi i kutive do të kishte shkaktuar vonesa dhe aludime të panevojshme në numërimin e votave dhe nxjerrjen e rezultateve.

Pavarësisht parapërgatitjeve për zgjedhjet dhe trajnimit të komisionerëve në KIZ, si pasojë e eksperiencës së limituar tëkomisionerëve dhe paqartësive në lidhje me procedurat disa vështirësi u vunë re gjatë ditës së votimit. Gjatë vëzhgimit të procedurave të hapjes dhe mbylljes së QV-ve u vërejtën një seri shkeljesh sidomos në lidhje me: procedurat e hapjes, kompetencat e vëzhguesve brenda QV-ve, operimin me rastet e mungesës së emrit në listë apo ndryshimeve të mbiemrit të studentit, si dhe procedurat e mbylljes dhe raportimit në KZF. Megjithëse ky konfuzion nuk ndikoi në mbarëvajtjen e përgjithshme të zgjedhjeve të cilat u zhvilluan në një klimë të qetë, dhe as në rezultatin përfundimtar, KZLN propozon përgatitjen e një Manuali për Komisionerët nga secili KIZ, i cili të përfshijë dispozitat kryesore për ditën e zgjedhjeve nga hapja e QV-ve deri në përfundimin e numërimit të votave dhe plotësimit të procesverbaleve.

Në përgjithësi, zgjedhjet për organet drejtuese dhe autoritetet në Universitetin e Tiranës, Universitetin Politeknik të Tiranës dhe Universitetin e Arteve u zhvilluan në një klimë të qetë dhe pa incidente. KIZ-et ndërhynë me rregullimin e procesit, sidomos në momentet kur kishte paqartësi apo shkelje.

Shkarko raportin e plote [.pdf]