Njoftim për Shtyp për Pjesën e parë të Proceseve të Ditës së Zgjedhjeve

Tiranë, më 21 qershor, ora 17:00 – Koalicioni për Zgjedhje të Lira e të Ndershme e Demokraci të Qendrueshme (Koalicioni) prezantoi gjetjet e vëzhgimit të procesit të pjesës së parë të ditës së votimit, të cilat pasqyrojnë situatën në të gjitha Qendrat e Votimit në mbarë vendin.

"Bazuar tek informacioni i marrë nga vëzhguesit jo-partiakë të Koalicionit, pjesa e parë e Ditës së Zgjedhjeve vazhdoi në një mënyrë të rregullt, me përjashtim të pak incidenteve të izoluara" – tha znj. Mirela Bogdani, eksperte ligjore e KZLNDQ-së.

Incidentet e izoluara të raportuara nga vëzhguesit e KZLNDQ-së deri në orën 14.00 ishin:

- Katër (4) raste në të cilat votimi u pezullua për më shumë se 30 minuta (Tirana QV 1939; Shkodër QV 0089 dhe QV 0092; Fier QV 3034)

- Pesë (5) raste në të cilat fshehtësia e votimit nuk u garantua (Tirana QV 2082, QV 2009, QV 19791; Vlora QV 4585; Korçë QV 4103)
- Pesë (5) raste të asistencës në mënyrë të papërshtatshme në votim (Tirana QV 17721, QV 1926, QV 19791, QV 2127, Vlora QV 4585), si dhe 3 raste votimi familjar (Gjirokastër QV 4120, Dibër QV 1151; Shkodër QV 81).
- Dy (2) raste të presencës së personave të paautorizuar (në QV nr. 19791 në Tiranë, në QV nr. 4585 në Vlorë)
- Dymbëdhjetë (12) raste të të bërit fushatë përpara Qendrave të Votimit (në Durrës: QV nr. 1373, QV nr. 14602, QV nr. 1416; në Dibër QV nr. 1111; në Korçë QV nr. 3979, QV nr. 3740; në Tiranë QV nr. 18761, QV nr.1789, QV nr. 17121; në Shkodër QV nr. 259; në Vlorë QV nr. 4585, QV nr. 4598).

Vëzhguesit e KZLNDQ kanë pasur mundësi që gjatë pjesës së pare të ditës së votimit të vëzhgojnë të lirshëm procesin e votimit, siç edhe parashikohet në Kodin Zgjedhor.

Sipas të dhënave të KZLNDQ, pjesëmarrja mesatare në nivel kombëtar deri në orën 14.00 ishte
31.6 % me marzh gabimi prej +/-0.8%. Ndarja e pjesëmarrësve në votim sipas gjinive ishte 47 % gra dhe 53 % burra.

KZLNDQ ka shpërndarë 1000 vëzhgues të palëvizshëm e të paanshëm sipas një kampioni të rastësishëm dhe përfaqësues në të gjithë Shqipërinë si dhe në bashkitë e Tiranës, Shkodrës, Durrësit dhe Himarës. Kjo metodologji i mundëson Koalicionit ekstrapolimin e gjetjeve të vëzhgimit për të gjithë vendin në përgjithësi, si dhe më vete për katër bashkitë e përmendura. Të dhënat cilësore të KZLNDQ-së kanë nivel besueshmërie prej 95 %, me marzh gabimi prej +/- 4% në rang kombëtar.

Koalicioni do të informojë publikun me anë të një vlerësimi të përgjithshëm të mbarëvajtjes së proceseve të Ditës së Zgjedhjeve nëpërmjet një konference për shtyp që do të zhvillohet ditën e hënë në orën 9:30, ku do të prezantohet Raporti Paraprak.

Numri i votuesve

Vezhguesit

Për të marrë informacion të përditësuar rreth zhvillimeve të fundit, ju lutemi ndiqni Koalicionin në:

Facebook: Koalicioni për Zgjedhje të Lira e të Ndershme
Twitter: KZLN_CFFE_Albania
Faqja e internetit: www.kzln.org.al

Për më shumë informacion, ju lutemi kontaktoni:
Mirela Arqimandriti, Drejtuese e Projektit të Vëzhgimit të Zgjedhjeve
Erjona Mulellari, Drejtore Ekzekutive, KZLNDQ
Dhimitër Gjodede, Koordinator i Vëzhguesve Afatgjatë
Email: Kjo adresë emaili po mbrohet nga spambotet. Të duhet aktivizimi i JavaScript për me e pa. Cel: 068 20 59 301

Koalicioni për Zgjedhje të Lira e të Ndershme e për Demokraci të Qendrueshme (KZLNDQ) është një organizatë e pavarur, jopartiake, e krijuar me qëllim nxitjen e pjesëmarrjes së qytetarëve në votime dhe sigurimin e demokracisë së qendrueshme. KZLNDQ u kushton vëmendje të veçantë të drejtave të njeriut para ligjit, çështjeve që ndikojnë tek votuesit me aftësi të kufizuara si dhe çështjeve të barazisë gjinore. KZLNDQ, bazuar në të dhënat e datës 6 qershor 2015, përbëhet nga 30 organizata partnere dhe nga qindra vullnetarë në të gjithë Shqipërinë që punojnë në mbështetje të KZLNDQ-së për vëzhgimin e Zgjedhjeve Vendore të datës 21 qershor 2015. Ky Projekt për Vëzhgimin e Zgjedhjeve për Organet e Qeverisjes Vendore mbështetet nga Assist Impact nëpërmjet fondeve të USAID-it. KZLNDQ po asistohet teknikisht nga Instituti Demokratik Amerikan, NDI.