Komisioni i Posaçëm të rifillojë sa më parë punën për Reformën Zgjedhore

Tiranë, 26.09.2016. Koalicioni për Zgjedhje të Lira e të Ndershme e për Demokraci të Qendrueshme (KZLN) po vijon të monitorojë aktivisht zhvillimet më të fundit mbi reformën zgjedhore, si dhe të kontribuojë me analiza dhe sugjerime për një reformë zgjedhore gjithëpërfshirëse dhe të vlefshme për një kohë të gjatë, në Shqipëri.
KZLN i bashkohet thirrjes së OSBE-së në lidhje me Komisionin e Posaçëm Parlamentar për Reformën Zgjedhore, i cili duhet të rifillojë punën sa më parë, në mënyrë që reforma zgjedhore të adresojë problematikat zgjedhore në Shqipëri në një kohë të përshtatshme, përpara Zgjedhjeve Parlamentare 2017.
Të nderuar Parlamentarë, ju bëjmë thirrje të mos e lini për minutat e fundit këtë çështje të rëndësishme dhe jetike për të garantuar zgjedhje të lira e të ndershme në Shqipëri.
KZLN i bën thirrje këtij Komisioni të marrë në konsideratë çështjen e pavarësisë së Organeve të Administrimit Zgjedhor (OAZ) në Shqipëri. Ndërrimi masiv i komisionerëve të Komisioneve të Qendrave të Votimit dhe të Grupeve të Numërimit të Votave një ditë përpara zgjedhjeve të pjesshme lokale në Dibër, dëshmoi edhe njëherë për nevojën urgjente të adresimit të një sërë problemesh që lidhen me monopolin e partive politike shqiptare mbi OAZ-të dhe abuzimin me to.
Përmes një tryeze diskutimi publike në kuadër të projektit të Dhomës Zgjedhore, KZLN ka përpunuar dhe prezantuar në datën 20 shtator 2016, një model koherent për ndryshimet në lidhje me rritjen e pavarësisë së administratës zgjedhore në Shqipëri, i cili do t'i propozohet Komisionit të Posaçëm Parlamentar për Reformën Zgjedhore sapo ai të rifillojë punën. Një nga sugjerimet tona më të rëndësishme është kalimi i të drejtës së zëvendësimit të komisionerëve nga partitë politike tek KQZ-ja . Sigurisht që depolitizimi i OAZ-ve duhej të ishte çështje prioritare e kësaj reforme, e cila edhe nëse vendos të mos e adresojë këtë çështje, të paktën duhet të ofrojë zgjidhje bindëse dhe afatgjata për OAZ-të dhe për proceset zgjedhore në përgjithësi në Shqipëri.
KZLN ka shprehur edhe më parë gadishmërinë për të kontribuar në procesin e reformës me ekspertizë dhe sugjerime konkrete, sidomos në lidhje me OAZ-të.

Koalicioni për Zgjedhje të Lira e të Ndershme e për Demokraci të Qendrueshme (KZLN) është një organizatë e pavarur, jopartiake, e krijuar me qëllim nxitjen e pjesëmarrjes së qytetarëve në votime dhe sigurimin e demokracisë së qendrueshme. KZLN u kushton vëmendje të veçantë të drejtave të njeriut para ligjit, çështjeve që ndikojnë tek votuesit me aftësi të kufizuara si dhe çështjeve të barazisë gjinore në proceset zgjedhore. KZLN përbëhet nga 30 organizata partnere dhe nga qindra vullnetarë në të gjithë Shqipërinë që kanë punuar në mbështetje të KZLN-së që prej vitit 2013.

Për më shumë informacion, ju lutem vizitoni faqen www.kzln.org.al dhe/ose kontaktoni me e-mail: Kjo adresë emaili po mbrohet nga spambotet. Të duhet aktivizimi i JavaScript për me e pa.