Mungesa e vullnetit politik rezultoi në një numër të vogël të grave në pozicione të favorshme për të fituar në zgjedhjet parlametare shqiptare të 23 qershorit 2013

Gruaja vazhdon të jetë një forcë e papërfaqësuar siç duhet në vendimmarjen e vendit tonë. Një statistikë shqetësuese e prezantuar mbremë në listat e kandidatëve për deputet/e të Parlamentit të ardhshëm Shqiptar, tregoi qartë se vullneti i Partive politike Shqiptare është kundër përfaqësimit të vërtetë të gruas në Kuvendin e Shqipërisë. Gruaja e cila përbën gjysmën e popullsinë, edhe një herë, humbi mundësinë për të patur përfaqësimin e duhur në institucionin më të lartë vendimmarrës të vendit. Listat e prezantuara në KQZ nga subjektet zgjedhore, mbrëmë na paralajmëruan se gratë Shqiptare për katër vitet e ardhshme do të përfaqësohen nga një numër i vogël anëtaresh në Parlamentin e ardhshëm.

Organizatat anëtare të Koalicionit për Zgjedhje të Lira e të Ndershme, në bashkëpunim me shumë organizata të tjera të shoqërisë civile Shqiptare, në një zë të përbashkët kanë kërkuan përcaktimin e kuotës gjinore në Kodin Elektoral, në mënyrë që të rritej numri i grave në Parlamentin Shqiptar dhe përfaqësimi i gruas në përgjithësi në organet vendimarrëse. Kuotat gjinore janë përshtatur për të krijuar një masë kritike përfaqësimi të gjinisë më pak të përfaqësuar në strukturat vendimmarrëse të një vendi. Kuotat gjinore janë një mekanizëm për të sjellë ndryshime të shpejta në lidhje me pabarazinë gjinore në përfaqësim e cila është mbizotëruese në Shqipëri.

Përfaqësuesit e partive politike asnjëherë nuk kanë mbështetur siç duhet përcaktimin në Kodin Elektoral të kuotës gjinore sipas kërkesave nga Shoqëria Civile. Ne shpresonim që gjatë formulimit të listave partitë do të merrnin parasysh dhe respektonin atë çfarë kërkuan e shkruan vetë në Kodin Zgjedhor. Por fatkeqësisht kjo përsëri nuk ndodhi.

GRUAJA SHQIPTARE NUK DO TË KETË MUNDËSI TË KETË PËRFAQËSIMIN E DUHUR NË PARLAMENTIN SHQIPTAR

Megjithatë sfida vazhdon, ne do të vazhdojmë të kërkojmë përfaqësimin e duhur të grave në të gjitha organet vendimmarrëse derisa të arrihet.
I urojmë çdo gruaje përfaqësuese të partive politike që ia doli të jetë në listat përkatëse shumë suksese në zgjedhjet parlamentare Shqiptare të 23 Qershorit 2013, duke shpresuar që secila nga ato të përcjellë në fushatën zgjedhore programe specifike për përparimin e të drejtave të grave dhe për arritjen e barazisë gjinore në Shqipëri.

pdfNjoftim per shtyp CFFE kuota gjinore55.23 KB09/06/2013, 16:54