Monitorimi i zgjedhjeve lokale, 21 qershor 2015, në Shqipëri - raport pëfundimtar

Zgjedhjet e 21 qershorit në Shqipëri u organizuan pas marrjes rishtas të statusit të vendit kandidat nga Këshilli i Ministrave i Bashkimit Evropian, çka e sjell vendin një hap më pranë anëtarësimit në BE. Në këtë kontekst, zgjedhjet konsiderohen një test i rëndësishëm për nisjen e bisedimeve për anëtarësim. Siç deklaroi raportuesi për Shqipërinë, në Parlamentin Evropian gjatë një interviste: "Mesazhi numër një është që këto zgjedhje janë një mundësi e mrekullueshme për të treguar se Shqipëria është gati të hapë bisedimet për anëtarësim" 20.
Për më tepër, zgjedhjet e vitit 2015 u mbajtën pak kohë pas miratimit të Reformës Administrative Territoriale, votuar nga Kuvendi i Shqipërisë më 31 korrik 2014. Ndarja e re territoriale çoi në një reduktim domethënës të Njësive të Qeverisjes Vendore (NQV) nga 373 në 61.
Ky raport shënon kulmimin e përpjekjeve vëzhguese dhe monitoruese të Koalicionit për Zgjedhje të Lira e të Ndershme dhe Demokraci të Qëndrueshme (KZLNDQ). Projekti i shumanshëm i monitorimit të zgjedhjeve u ideua që të përfshinte aspektet kyçe të procesit zgjedhor, gjatë gjithë etapave përbërëse të tij: atmosfera parazgjedhore, dita e votimit që nga hapja e qendrave të votimit (QV) deri në dorëzimin e materialeve zgjedhore tek Komisionet e Zonave të Administrimit Zgjedhor (KZAZ), numërimi në qendrat e numërimit të votave (QNV) dhe zhvillimet paszgjedhore.
Raporti kishte për qëllim t'i siguronte grupeve të interesuara për procesin zgjedhor, informacion të besueshëm dhe lehtësisht të aksesueshëm, bazuar në fakte e mbështetur në statistika. Më tutje, objektivi i projektit ishte të denonconte publikisht dhe të parandalonte çdo parregullsi që mund të rrezikonte cilësinë e zgjedhjeve.

Lexo raportin e plotë [pdf]