• Final-ConferenceZV2015
  • Rezultate-infografike-01

Reflektim pas mbledhjes së parë të Komisionit të Posaçëm Parlamentar për Reformën Zgjedhore

Tiranë, 15.03.2016. Koalicioni për Zgjedhje të Lira e të Ndershme e për Demokraci të Qendrueshme (KZLN) po vijon të monitorojë në mënyrë aktive zhvillimet më të fundit për nisjen e reformës zgjedhore në Shqipëri.

Megjithëse nuk mori një ftesë të dëgjojë, KZLN mirëpriti mbledhjen e parë të Komisionit të Posaçëm Parlamentar për Reformën Zgjedhore dhe nisjen e punës për një reformë gjithpërfshirëse. Parimi i gjithpërfshirjes është theksuar vazhdimisht nga aktorët vendas të shoqërisë civile dhe partnerët ndërkombëtarë, të cilët presin angazhimin e anëtarëve të Komisionit dhe partive politike për respektimin e tij gjatë procesit të reformës elektorale.

KZLN kërkon që Komisioni i Posaçëm Parlamentar për Reformën Zgjedhore të angazhohet sa më shpejt në procese konsultimi me shoqërinë civile dhe aktorë të tjerë të interesuar në mbarëvajtjen e procesit si dhe të marrë në konsideratë rekomandimet e tyre për ndryshimet e nevojshme në Kodin Zgjedhor. Afati i shkurtër tre mujor për përfundimin e punimeve të Komisionit dhe për draftimin e reformës zgjedhore shtron nevojën e organizimit të këtyre seancave sa më shpejt.

Lexo deklaratën e plotë [.pdf]

Thirrje për legjislatorët shqiptarë që kanë në dorë zanafillën e reformës në drejtësi

Koalicioni për Zgjedhje të Lira e të Ndershme e për Demokraci të Qendrueshme (KZLNDQ) i bën thirrje parlamentarëve shqiptarë dhe partive politike të marrin parasysh rekomandimet e Komisionit të Venecias, thirrjet e ndërkombëtarëve, të shoqërisë civile dhe pritshmërinë e shqiptarëve në lidhje me urgjencën e miratimit të ligjit për Reformën në Drejtësi. Reforma në Drejtësi përbën prioritet absolut për Shqipërinë..

Lexo deklaratën e plotë [pdf]

Njoftim për Shtyp - “Nevojë për një Reformë Gjithpërfshirëse Zgjedhore”

Tiranë, 9 Shtator 2015, ora: 10:00 – Koalicioni për Zgjedhje të Lira e të Ndershme e për Demokraci të Qendrueshme (KZLNDQ) prezantoi raportin përfundimtar i cili përmban gjetje, konkluzione dhe rekomandime nga puna vëzhguese gjatë Zgjedhjeve të 21 Qershorit 2015.

"Koalicioni për Zgjedhje të Lira e të Ndershme e për Demokraci të Qendrueshme (KZLNDQ) vlerëson se ndërkohë që dita e zgjedhjeve ishte e qetë dhe e rregullt, periudha para dhe pas zgjedhjeve u karakterizua nga një sërë mangësish si përballë legjislacionit kombëtar ashtu edhe standardeve ndërkombëtare për zgjedhje të lira e të ndershme." – tha znj.Mirela Arqimandriti, drejtuese e KZLNDQ-së.

"Puna e Organeve të Administrimit të Zgjedhjeve (OAZ) u ndikua shumë nga vullneti i partive politike. Një tjetër karakteristikë e punës së OAZ-ve në të gjitha nivelet, ka qenë mungesa e transparencës të konsiderueshme, pasi ato nuk arritën të informojnë plotësisht dhe në kohën e duhur publikun rreth mbledhjeve dhe rezultateve të punës së tyre."– tha znj. Mirela Bogdani, jursitja e KZLNDQ.

"Proçesi i numërimit të votave është pjesa më delikate dhe e pasigurt e zgjedhjeve në Shqipëri. Proçesi ishte jo transparent duke filluar që nga mbyllja e Qendrave të Votimit dhe transportit të kutive të votimit për në Qendrat e Numërimit të Votave (QNV), e deri te proçeset brenda QNV-ve. Për më tepër që planimetria e QNV- ve, me tavolina dhe me grupe të shumta numërimi, nuk ofroi një pamje të qartë për vëzhguesit, për shkak të distancës të papërshtatshme nga tavolinat e numërimit." – tha z.Dhimitër Gjodede, Koordinatori i Vëzhguesve Afatgjatë.

"Partitë politike dështuan në zotimin e tyre për të rritur përfaqësimin e gruas në proceset elektorale; nënpërfaqësimi i grave në Organet e Administrimit Zgjedhor vazhdon të mbetet problem, në veçanti në komisionet e nivelit të dytë e të tretë. Përvec kësaj, megjithëse Kodi Elektoral, parashikon metoda për të asistuar votuesit të cilën nuk mund të votojnë të pavarur, në këto zgjedhje kjo nuk u respektua" – tha znj.Erjona Mulellari Koordinatore e vëzhguesve afatshkurtër.

"KZLNDQ I kërkon Parlamentit Shqiptar që të iniciojë një diskutim publik me të gjithë aktorët në lidhje me Reformën Elektorale e që të adresojnë rekomandimet e kahershme të OSBE/ODIHR dhe çështjet e identifikuara gjatë zgjedhjeve të fundit të organizuara në Shqipëri nga vëzhguesit shqiptarë", tha znj.Mirela Arqimandriti, drejtuese e KZLNDQ-së.

Shtyp këtu për raportin

Për të marrë informacion të përditësuar rreth zhvillimeve të fundit, ju lutemi ndiqni KZLNDQ në:

Facebook: Koalicioni për Zgjedhje të Lira e të Ndershme
Tëitter: KZLN_CFFE_Albania
Faqja e internetit: www.kzln.org.al

Për më shumë informacion, ju lutemi kontaktoni: Email: Kjo adresë emaili po mbrohet nga spambotet. Të duhet aktivizimi i JavaScript për me e pa. Cel: 068 20 59 301

Koalicioni për Zgjedhje të Lira e të Ndershme e për Demokraci të Qendrueshme (KZLNDQ) është një organizatë e pavarur, jopartiake, e krijuar me qëllim nxitjen e pjesëmarrjes së qytetarëve në votime dhe sigurimin e demokracisë së qendrueshme. KZLNDQ u kushton vëmendje të veçantë të drejtave të njeriut para ligjit, çështjeve që ndikojnë tek votuesit me aftësi të kufizuara si dhe çështjeve të barazisë gjinore. KZLNDQ, bazuar në të dhënat e datës 31 Gusht 2015, përbëhet nga 30 organizata partnere dhe nga qindra vullnetarë në të gjithë Shqipërinë që punojnë në mbështetje të KZLNDQ-së për vëzhgimin e Zgjedhjeve Vendore të datës 21 qershor 2015. Ky Projekt për Vëzhgimin e Zgjedhjeve për Organet e Qeverisjes Vendore mbështetet nga Assist Impact nëpërmjet fondeve të USAID-it. KZLNDQ po asistohet teknikisht nga Instituti Demokratik Amerikan, NDI.